Policia ka publikuar pamjet dhe ka dhënë detaje të ngjarjes së ndodhur këtë të mërkurë në Shëngjin, ku dy persona kanë kërcënuar me armë zjarri një ish-efektiv policie brenda një lokali.
“Pas marrjes së njoftimit së në një lokal në Shëngjin, dy shtetas ishin konfliktuar me një person, si dhe e kishin kanosur atë me armë zjarri pistoletë, shërbimet e Policisë kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e dy autorëve të dyshuar, konkretisht të shtetasve: E. M., 29 vjeç dhe E. S., 25 vjeç, banues në Shëngjin, të cilët ishin strehuar në një banesë.
Pas kontrollit të ushtruar në banesë dhe kontrollit fizik të tyre, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një dorezë metalike (shtetasit E. S.) dhe një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë (shtetasit E. M.), e cila dyshohet të jetë pistoleta e përdorur për kanosjen e shtetasit Gj. M., për motive të dobëta.
Në vijim të veprimeve, shtetasit E. M. dhe E. S. u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, “Kanosja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme”.