Liderët kryesorë perëndimorë kanë mbajtur një bisedë, sa u përket zhvillimeve më të fundit në Ukrainë.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka pasur një qëndrim në linjat e fillimluftës, por me një pikë ndryshimi rrënjësore.
Sipas Scholz, Gjermania e ka të pamundur ta furnizojë Ukrainën me armë të tjera për të mbrojtur vendin nga Rusia. Kjo, pasi është arritur limiti i sasisë së municioneve që mund të jepen nga rezervat e Forcave të Armatosura Gjermane.
Megjithatë, ai ka pranuar se do të shohë mundësinë e bashkëpunimit me prodhues të armëve, të cilat ushtarët ukrainas dinë t’i përdorin, për të mundësuar së paku furnizimin e forcave të armatosura me to.
Po ashtu, ai ka mbetur në vijën e paravendosur, se aleanca e NATO-s nuk duhet të ndërhyjë direkt në konfliktin mes dy vendeve.
Megjithatë, Moska nuk mund të lejohet ta fitojë betejën – në asnjë mënyrë – sipas Scholz.
Ndërhyrja e vendeve aleate të NATO-s është përjashtuar që në çastet e para të luftës dhe ky qëndrim nuk ka ndryshuar në asnjë moment.
Gjermania ishte ndër vendet, të cilat në fillim e refuzoi dhënien e municioneve ushtarake për Ukrainën, për shkak edhe të aspektit legjislativ gjerman, i cili e ndalonte diçka të tillë.
Por, pas një rikonsiderimi, Berlini filloi dërgesa armatimesh , përfshi ato të rënda në Ukrainë.
Tashmë, duket se rezervat janë të pamjaftueshme për diçka të tillë.