Stadiumi Bombonera i Boca Juniors në Argjentinë është një nga impiantet më tërheqës në botën e futbollit. Jo vetëm për arkitekturën, por edhe për atmosferën që tifozët krijojnë aty, teksa ata të Boca Juniors njihen si një nga tifozeritë më të zjarrta në botë. Madje, aq të zhurmshëm dhe të lëvizsshëm janë sa stadiumi nis edhe të “dridhet” sikur bie tërmet. Një fakt i tillë është i provuar edhe shkencërisht, ndërsa lojtarët e Bocas e kanë pranuar se e ndjejnë fushën të lëvizë.
Tashmë, klubi argjentinas po kërkon që edhe të rinjtë e akademisë të përgatiten për atmosferën e zjarrtë në momentin që do të bëhen pjesë e ekipit të parë dhe për të mos pasur ndrojtje kur të futen në fushë. Kështu, për të mos u “trembur” nga dridhjet e Bomboneras, klubi ka implementuar disa pajisje të cilat “imitojnë” këto shkundje të fushës dhe në këtë formë, të rinjtë do të kenë një ide se si është të luash në Bombonera.
Ideja për të mësuar të rinjtë me atmosferën e zjarrtë në stadium ka ardhur nga Juan Roman Riquelme i cili ka qenë pjesë e Boca Juniors për 13 vite, ndërkohë që ish-futbollisti që mban rolin e zëvendëspresidentit të klubit, foli edhe për përjetimin e tij në Bombonera.
“Nuk më ka ndodhur në asnjë vend tjetër, Bombonera është i vetmi stadium që “dridhet”. Ne mund të luanim keq aty, por në momentin që kishim në dispozicion një goditje këndi, e dinim që goli do të vinte. Je në fushë dhe ajo nis të lëvizë”, u shpreh Riquelme. Ideja e këtij të fundit është “përqafuar” edhe nga tifozët e Boca Juniors të cilët e dinë mirë se çfarë janë të aftë të bëjnë në tribunat e stadiumit.