Drejtori i Përgjthshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, përmes strukturave zyrtare, me anë të një postimi në facebook ka reaguar pasi kreu i PD-së, Sali Berisha, sot nga selia e Partisë Demokratike, në konferencë për mediat publikoi një video duke pretenduar se ajo ishte filmuar brenda IEVP Fushë-Krujë dhe ku shiheshin shishe alkooli në ambientet e brendshme të institucionit.
Postimi i Drejtorisë së Burgjeve
Lidhur me pretendimin e shpërndarë së fundmi nga z. Sali Berisha për një video të paraqitur si ambient brenda IEVP Fushë-Krujë, sqarojmë se përmbajtja është e pavërtetë dhe dashakeqe.
Në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale nuk ekzistojnë ambiente të tilla dhe nuk tolerohet, në asnjë rrethanë, prania apo konsumimi i sendeve të ndaluara, përfshirë alkoolin. Pretendime të kësaj natyre synojnë të dezinformojnë opinionin publik dhe të dëmtojnë imazhin e sistemit penitenciar.
Gjatë kohëve të fundit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka intensifikuar kontrollet e befasishme dhe masat parandaluese kundër çdo forme paligjshmërie, me rezultate konkrete dhe të verifikueshme. Jemi të ndërgjegjshëm se nuk jemi ende aty ku duam, por vullnetin e kemi të palëkundur.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve inkurajon denoncimin e çdo shkeljeje dhe bashkëpunimin me autoritetet përkatëse, por dënon shpërndarjen e materialeve të rreme, të cilat cenojnë besimin publik dhe përpjekjet institucionale për forcimin e sigurisë dhe respektimin e ligjit në sistemin penitenciar.