-sidi education-spot_img
4.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ben Blushi: Ju prezantoj Jonuz Selimin me fytyrën e Pablo Picassos

Kryesoret

Nga Ben Blushi

Jonuz Selimi është nga Durrësi. Bën portrete. Del çdo ditë në pedonalen përballë detit.

Kur njerëzit pranojnë, ai i pikturon. Ka një qese të mbushur me portrete. Nuk e di sa i shet. Nuk ma ka thënë.

Herën e parë e pashë në Shkurt. Binte shi. Frynte shumë erë. Unë kisha në kokë një kapuç. Jonuz Selimi kishte një kapele. Me strehë.

Më foli anglisht.

Ej, amerikano, amerikano.

No, i thashë

Aaaaa italiano, italiano

I bëra një foto. Ndoshta dy. Apo tre.

Io skulptoro, skulptoro albaneze.

I bëra disa fotografi të tjera. Ndoshta dhjetë. Njëzet.

Artista, artista, tha Jonuz Selimi.

Pablo Picaso, Pablo Picaso di Durraco, thashë unë

Si si Pablo Picasso, Pablo Picasso,

Io artista, skulptoro, skulptoro albaneze

Vjeni vjeni,

Jonuz Selimi filloi të ecte. Kthehej dhe më bënte me dorë ta ndiqja.

Rreth 50 metra nga vendi ku rrinte, në buzë të detit ishte një portret i gdhendur. Në gur.

Io, Io, skulptura. Io in marmo.

Ishte vetë Jonuz Selimi. I bërë nga Jonuz Selimi. Në mermer të kuq.

Vedi kua, më tha. Jonuzo Selimi, kua kua, dhe tregoi nënshkrimin e vet mbi gur.

Bravo, bravo Pablo Picaso di Durraco, i thashë duke fotografuar Jonuz Selimin mbi Jonuz Selimin.

No no, tha. Io Jonuzo Selimi

Artista albaneze. Io fejsbuko fejsbuko.

Nxorri nga xhepi një karton. Ishte adresa e tij e fejsbukut. E shkruar me dorë.

Para disa ditësh e gjeta në makinë. Mu kujtua Jonuz Selimi.

Shkova prapë në Durrës. Në Pedonalen përballë detit.

Ishte vapë. Shumë diell. Më pak zogj. Më shumë njerëz.

Jonuz Selimi ishte aty.

Pablo Picasso, e thirra.

Si si, tha, artista albaneze,

Skulptoro, skulptoro,

I bëra disa shkrepje të tjera.

Jonuz Selimi kishte një çadër. Të pahapur.

Përballë tij një burrë tjetër i binte çiftelisë dhe qeshte me ne.

Ia bëra me dorë ti bashkohej Jonuz Selimit.

Hajde, i tha Jonuzi. Do të na bejë fotografi ky.

Ç’është ky, i tha burri.

Nuk e di ça është, tha Jonuzi. Ndonjë i huaj. Amerikan.

U ulën të dy në stol.

Bravo artista albaneze, i thashë unë.

I bëra me shenjë nga çadra.

A ok, tha Jonuz Selimi.

Na kërkon të hapim çadrën, i tha çiftelisë.

E hapi. E zgjati nga çiftelija.

Tani bjeri, i tha.

Po ku del tingulli në fotografi, tha burri. Pse ti bije kot.

Edhe unë i bëra shenjë ti binte. I ra.

Shkrepa disa foto.

Kushedi ku do na çojë, i tha Jonuz Selimi. Në ndonjë ekspozitë. Rri mirë.

Çiftelia qeshi. Jonuz Selimi ngriti çadrën.

Gracie Pablo Picasso, Grande Jonuzo Selimi, i thashë.

Si si, Jonuzo Selimi, artista albaneze, tha Jonuz Selimi,

Më dha prapë një karton. Me adresën e fejsbukut.

Tani kam dy kartona në makinë.

Do shkoj prapë.

Më mirë tre se dy.

Pablo Picasso nuk ka patur facebook.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit