Nuk ka mbështetje të mjaftueshme nga vendet anëtare të BE-së për të vendosur një embargo të plotë ose tarifa ndëshkuese ndaj naftës dhe gazit rus, tha shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
“Për momentin, ne në BE nuk kemi një qëndrim të përbashkët për këtë çështje”, tha Borrell për gazetën gjermane Die Welt.
Eksportet e naftës janë burimi kryesor i këmbimit valutor për Moskën dhe shumë vende të BE-së kanë bërë thirrje për një embargo pasi besojnë se tregjet ruse të naftës po financojnë efektivisht luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Sipas Eurostat, pak më shumë se një e katërta e naftës së importuar nga BE në vitin 2020 erdhi nga Rusia, duke e bërë atë një vend kyç nga i cili blloku importon naftë.
Borrel shpjegoi se çështja do të diskutohej në samitin e ardhshëm evropian të planifikuar për në fund të majit, duke shtuar se ai nuk pret që një vendim për këtë çështje të merret më shpejt.
“Një propozim përfundimtar për të vendosur një embargo ndaj naftës dhe gazit nuk është ende në tryezë” tha ai.
Welt tha gjithashtu, pa përmendur burimet e tij, se Komisioni Evropian ndoshta do të paraqesë një propozim këtë javë për një paketë të gjashtë sanksionesh kundër Rusisë.
Të gjitha vendet e BE-së po punojnë për të reduktuar varësinë e tyre nga energjia ruse, tha Borrel, duke vënë në dukje se ai beson se blloku një ditë do të jetë në gjendje të reduktojë varësinë e tij nga ajo.
“Në një moment do të ndodhë dhe atëherë Rusia do të ndjejë dhimbje se të ardhurat nga nafta dhe gazi po humbasin,” tha ai.
Bashkimi Evropian (BE) po përgatitet të vendosë “sanksione të zgjuara” ndaj importeve të naftës ruse, sipas nënpresidentit të Komisionit Evropian Valdis Dobrovskis.
“Ne jemi duke punuar për paketën e gjashtë të sanksioneve dhe një nga çështjet që po shqyrtojmë është vendosja e një lloj embargoje ndaj naftës (ruse).“Pasi të vendosim sanksione, ne duhet ta bëjmë këtë në një mënyrë që të maksimizojë presionin ndaj Rusisë duke minimizuar dëmin kolateral nga ana jonë”, tha Dobrowski për “Times”.
Zëvendëspresidenti i Komisionit sqaroi se detajet e sanksioneve evropiane ndaj naftës së papërpunuar ruse nuk janë finalizuar ende, por pritet të përfshijnë uljen graduale të varësisë së vendeve evropiane nga nafta ruse ose vendosjen e tarifave përtej një kufiri të caktuar çmimi.
Rusia është furnizuesi më i madh i naftës në Evropë. BE importoi 26% të naftës bruto të konsumuar në vitin 2020 nga ky vend.
Ukraina dhe disa vende anëtare të BE-së, përfshirë Poloninë dhe Lituaninë, po kërkojnë një embargo ndaj naftës dhe gazit rus. Por shtetet e tjera anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Hungarinë, janë drejtpërdrejt kundër embargos.