Një sulm me armë zjarri ndodhi ndaj zyrtarëve policorë kufitarë në Zubin Potok. Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës duke dhënë detaje.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.
Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar është sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve,” tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Ky nuk është sulmi i parë ndaj policisë në veri. Që nga 13 prilli, disa herë policët janë sulmuar në zonën ndërmjet Zubin Potokut dhe pikës kufitare me Serbinë, në Bërnjak.