Mesditën e sotme në institucionin e Presidentit të Republikës u organizua Festivali Kombëtar i Bujtinave, Restoranteve dhe Prodhuesve Vendorë Turistikë, ku kreu i shtetit i falënderoi dhe i dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” disa nga pronarët.
“Vendi ynë ngjall shumë interes jo vetëm për mikpritjen por edhe për kulinarinë tonë. Sot kemi mundur të krijojmë një kuzhinë të markës shqiptare. Të nderuar mjeshtër të mëdhenj të kuzhinës…”, tha presidenti Meta duke nisur ndarjen e dekoratave.
Gjatë dhënies së titujve nuk munguan as batutat. Shefi i kuzhinës Alfred Marku u shpreh “nuk jam mësuar shumë të flas, rrit pas skenës te kuzhina, tenxheret dhe pjatat” tha ai. “Nuk e di sa e meritoj, jam akoma i ri për të qenë mjeshtër” tha një tjetër.
Më pas kreu i shtetit kaloi te banketi me gatimet që ishte shtruar në Presidencë. “Këtë e ka bërë zonja për Presidentin” tha njëri nga shefat e kuzhinës që e shoqëroi. Në fund një gotë birrë dhe biseda me të ftuarit.