Në rajonin Amhara të Etiopisë janë vrarë njëzet besimtarë myslimanë pas një prite nga njerëz të armatosur të paidentifikuar.
Mësohet se ngjarja nuk ka pasur lidhje me konfliktin në rajonin fqinj Tigray, i cili ka nisur në nëntor 2020 dhe që është përhapur në rajonet Amhara dhe Afar vitin e kaluar.
“Incidenti ndodhi dje kur myslimanët ishin në rrugë për të varrosur një individ”, ka treguar Seid Muhammed, president i Këshillit Suprem të Çështjeve Islame të Amhara-së.
Sipas tij, njerëzit e armatosur hodhën një mjet shpërthyes në turmën myslimane në qytetin Gondar, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur pesë.
Kurse viktimat e tjera kanë ndërruar jetë në kaosin që pasoi.
“Ka pasur plaçkitje të dyqaneve dhe tentativa për t’u djegur tre xhami. Njëra xhami ka pësuar dëmtime të vogla”, ka treguar ai.
Gizachew Muluneh, zëdhënës i administratës rajonale të Amhara-s, ka thënë se incidenti ishte nën hetim dhe se do të jepte një përditësim më vonë.
Në vitin 2019, autoritetet arrestuan pesë persona të dyshuar për djegien e katër xhamive në qytetin Motta në të njëjtin rajon.
Luftimet në konfliktin më të gjerë të Etiopisë janë lehtësuar që kur qeveria federale shpalli një armëpushim të njëanshëm muajin e kaluar, duke thënë se kjo do të lejonte hyrjen e ndihmave humanitare në Tigray.
Kur kryeministri Abiy Ahmed mori pushtetin në vitin 2018, ai prezantoi reforma gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike që i dhanë atij vlerësim ndërkombëtar, duke kulmuar me dhënien e Çmimit Nobel për Paqe për përpjekjet paqeruajtëse.