Në javët e fundit çmimi qumështit po shënon rritje cdo ditë duke kapur shifra të frikshme. Gazetarët e pyetën sot ministren e Bujqësisë, Frida Krifca nëse është e shqetësuar, pasi mund të rrezikohet falimenti i fabrikave të përpunimit të qumështit. Ministrja tha se nuk ka dijeni që ka rrezik për fabrikat dhe se i vjen mirë për fermerin që ka rritur çmimet, pasi kështu do të përballojë kostot. Po efekti zinxhir?
“Kriza që ne po jetojmë sigurisht që ka prekur edhe bujqësinë. Ne jemi përballë rritjes së çmimeve të imputeve dhe prandaj qeveria u është gjendur fermerëve me skemën e naftës. Aktualisht kemi 7300 fermerë që janë aprovuar dhe 5600 prej tyre kanë marrë naftën sepse kemi këtë sensibilitet për t’u shërbyer. Sa i takon imputeve bujqësore jemi të varur nga çmimet ndërkombëtare, nga bursa.
Gruri ka nevojë për ujitje dhe ne kemi bërë investime dhe këtë vit do të bëjmë. Sa i takon blegtorisë ne plotësojmë 95% të nevojave të vendit për qumësht. Kjo shifër nuk thuhet asnjëherë. Duket sikur na duhet të importojmë, por nevojat i plotësojmë. Sot kemi fabrika përpunimi, të cilat kanë standarde europiane.
Çmimi i fermerëve është rritur, siç mund të jenë rritur dhe çmimet e tjera, më vjen mirë që çmimi është rritur i fermerëve se kanë mundësi të përballojnë kostot dhe të krijojnë një mirëqenie të tyre më të mirë. Nuk kam dijeni që fabrikat janë në rrezik, kostoja është e transferueshme. Përsa i takon fermerit është mirë që çmimi është rritur” tha ajo.