Pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama që sportelet e gjendjes civile do të kalojnë online nga data 1 maj, qeveria ka zbardhur një sërë shërbimesh duke filluar nga aplikimi për pension, të cilët do të jenë të aksesueshëm në “e-albania”.
Aplikimi për pensionin social
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 8, të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 1, e vendimit nr.53, datë 29.1.2004, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Personi i interesuar, për efekt të llogaritjes, caktimit dhe pagesës së shtesës mbi pension, si trajtim i veçantë financiar, në zbatim të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension”, paraqet kërkesë nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”.”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Aplikimi i pension për punonjësit e minierave
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.150/2014, datë 6.11.2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paragrafi i parë, i pikës 1, të kreut III, të vendimit nr.78, datë 28.1.2015, të Këshillit të Minstrave, të ndryshuar, si më poshtë vijon:
“Në zbatim të nenit 7, të ligjit nr.150/2014, datë 6.11.2014, pensioni i pleqërisë për punonjësit që kryejnë procese pune në miniera, në nëntokë, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë së bashku me dokumentacionin përkatës, përmes portalit qeveritar “e-Albania”, ndërsa dokumentet shoqëruese dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ku ka vendbanimin.”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Aplikimi për daljen para komisioneve eprore për caktimin e aftësisë në punë
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 39/2, pika 4, e 39/3, pika 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shkronja “a”, e pikës 6, të vendimit nr.505, datë 10.6.2015, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Ankimi në komisionin epror bëhet nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, sipas formularit tip të dhënë në aneksin 3, bashkëlidhur këtij vendimi.”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Aplikimi për përfitimin e pensionit shtetëror suplementar
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 1, 15 e 17, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 18, e vendimit nr.548, datë 27.7.2016, të Këshillit të Minstrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“18) Personat e interesuar për të përfituar pagesë kalimtare apo pensione shtetërore suplementare duhet të paraqesin, përmes portalit qeveritar “e-Albania”, kërkesën për përfitim, ndërsa dokumentet origjinale dërgohen përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ku kanë vendbanimin.”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Aplikimi për pagën shtesë për pilotë fluturues
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 8, të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 1, e vendimit nr.644, datë 16.6.2010, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Piloti/tekniku i interesuar, për efekt të llogaritjes, caktimit dhe pagesës së shtesës mbi pension, si trajtim i veçantë financiar, plotëson kërkesën për përfitim nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”.”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.