Gazment Bardhi u shpreh në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo” se ligjërisht, ai vijon të mbajë postin e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike.
Ai u pyet edhe për ambiciet e tij në PD, nëse do të synojë të kandidojë për postin e kryetarit tashmë që Basha është larguar ndërsa Berisha ka shpallur kandidaturën për rikthim në krye të partisë më të madhe opozitare në vend.
Bardhi u shpreh në mënyrë të prerë se ai nuk synon postin e kryetarit. “Unë nuk jam i gatshëm të garoj për kryetar të PD. Unë e bëj këtë betejë për demokratët”, tha ai.
Ndërkohë, Gazment Bardhi u shpreh më tej se drejtimi i partisë nga Berisha do të thotë opozitë e përjetshme.
“Unë besoj që drejtimi i PD-së nga zoti Berisha do të thotë opozitë e përjetshme e partisë. Nuk kam një emër, por jam i sigurt që ka shumë emra që mund ta bëjnë. Berisha është kandidatura më e dëmshme për PD-në”.