Besimtarët myslimanë festojnë sot Fiter Bajramit. Reshjet e shiut s’i penguan besimtarët që faljen ta bënin në sheshin Skënderbej, pasi xhamia e Namazgjasë ende nuk ka përfunduar.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, u shpreh se Xhamia e “Namazgjasë” nuk është ende gati për të pritur besimtarët për shkak se nuk kanë përfunduar punimet.
Megjithatë ai theksoi se falja e namazit bëhet në shesh prej numrit të lartë të besimtarëve, për të cilët nuk do të kishte kapacitet asnjë xhami.
“Muaji Ramazan është muaji ku për secilin nga ne u krijuan rrethanat për shpëtim dhe udhëzim në rrugën e vërtetë. Lutemi të kemi dalë nga muaji i Ramazanit me një pastërti dhe ndriçim shpirtëror. Ashtu siç thotë i dërguari i Zotit: Nëse kemi agjëruar me besim dhe bindje te Zoti i gjithëpushtetshëm, Ai na i ka fal mëkatet.
As Xhamia e Namazgjasë nuk i merr të gjithë besimtarët, ndaj falja bëhet në sheshe. E rëndësishme është që Bajrami është gëzim e hare dhe i bëj thirrje njerëzve që të jemi pranë atyre në nevojë, pranë familjes sonë që të jemi një shoqëri sa më solide”, tha ai.
Presidenti turk Erdogan s’e mbajti fjalën për hapjen e xhamisë. Në 17 janar kur ishte në Shqipëri ai tha “Pamë nga afër edhe punimet në xhaminë madhështore në Tiranë që po ndërtojmë ne. Puna vijon ende.
Me Ndihmën e Zotit, punimet do të përfundojnë shpejt dhe deri në fund të muajit të Ramazanit do ta hapim për besimtarët. Do të jem sërish në Tiranë për ceremoninë e hapjes”, tha ai, por një gjë e tillë nuk ndodhi.