Rreth 88 mijë euro janë sekuestruar paraditen e sotme në Fier në kuadër të operacionit të koduar “Gjurmë”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të pastrimit të parave. U procedua penalisht Geri Rexhepi 30 vjeç, banues në Vlorë.
Shuma e konsiderueshme e futur brenda një çante të vogël u zbulua gjatë kontrollit, në automjetin tip “Benz” në pronësi të tij.
“30-vjeçari nuk kishte dokumentacion që vërteton burimin e ligjshëm të tyre. Nga veprimet hetimore dyshohet se shuma e parave është përfituar nga aktivitete të kundërligjshme.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e eurove dhe automjeti me të cilin udhëtonte ky person” deklaron policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.