Kryeministri Edi Rama u shpreh në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve tē nismës Adriatiko-Joniane sot në Tiranë se plani i vetëm i Shqipërisë është integrimi në BE edhe pse kërkoi durim për pasionin.
“Si mund të mbetesh peng i një mosmarrëveshje, të dy vendeve të vjetra. Na duhet të mos humbasim durimin dhe pasionin për Europën.
Europa është zgjedhja e parë me vullnet të lirë, prandaj me kokëfortësi po shtyjmë përpara dhe nuk mendojmë të heqim dorë dhe as plan “B” apo “C”. Ka vetëm një plan, Europa.
Komshiu i lumtur, shtëpi e lumtur, e kundërta është thjeshtë një makth. Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të shkojnë kurrkund. Këtu është shtëpia jonë. Serbët, kroatët, malazezët, maqedonasit, të gjithë do të jenë këtu prandaj duhet ta zgjidhim.
Duhet të harrojmë të gjithë rrëmujën që kemi krijuar për njëri tjetrin. Jemi të bekuar që kemi një fqinj si Italia, që na tregon se nuk ka nevojë të mërzitesh nga jeta, që të jesh një vend i BE-së” tha ai.