Nga Arbër Zaimi
Ajo strategji është e thjeshtë, ai ankohet se Serbia po e ka shumë të vështirë, se kurrë nuk ka patur kohë më të rëndë për Serbinë, se ai dëshiron të çojë përpara dialogun por me Kurtin nuk merret dot vesh e kështu me radhë.
E në prapaskenë vazhdon armatoset.
Pallavra janë këto. Ai pret që shqiptarët të tregohen euforikë dhe të gëzohen që “armiku po vuan”, dhe ta përdorë euforinë për të justifikuar armatimin e tij përballë evropianëve.
Cilido nga ne që mund të ketë kontakte me evropianë e të tjerë duhet t’ua sqarojë thjesht: Serbia nuk është duke kaluar asnjë situatë të rëndë, njohja e Kosovës është diçka krejt normale që vetëm përfitime i sjell rajonit dhe vetë Serbisë, ndërsa Kurti nuk kërkon asgjë tjetër përveç respektimit të parimeve në dialog.
Duke qenë Kurti e Kosova vazhdimisht propozues në dialog, duke ofruar pika e hapa të ndryshëm brenda parimeve të dialogut, dallohet qartë që Kosova është pala e interesuar për të shkuar përpara. Ndërsa duke qenë Vuçiçi e Serbia vazhdimisht refuzues të secilit propozim, njëkohësisht duke mos propozuar vetë asgjë, dallohet se ata janë të interesuar për ngecje të dialogut. Kjo i duhet shpjeguar opinionit publik ndërkombëtar, pavarësisht se Vuçiçi del në konferencë dhe thotë saktësisht të kundërtën.
Arsyeja pse Vuçiçi e bllokon dialogun është se tani, ndryshe nga kohët e shkuara, presidenti Biden, kancelari Scholz e të tjerë po thonë: Dialogu duhet të ketë në qendër (jo në përfundim) Njohjen e ndërsjelltë. Kjo, dorën në zemër, është edhe arsyeja pse Kurti e Kosova janë proaktivë dhe konstruktivë në dialog.