Policia e Tiranës ka njoftuar se për 24 orët e fundit ka arrestuar 6 persona dhe 2 të tjerë janë në ndjekje penale.
Nga njoftimi i policisë është mësuar se 37-vjeçari, i cili i shkaktoi vdekjen Ilir Kapos është arrestuar në flagrancë nga policia.
Njoftimi i Policisë
Vihen në pranga 6 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. H., 19 vjeç, banues në Skrapar, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një dorezë metalike (përforcues grushti).
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit O. Dh., 37 vjeç, pasi për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasin I. K., 60 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vorë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. M., 26 vjeç, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, dhe proceduan penalisht shtetasit E. I., 27 vjeç, dhe A. I., 51 vjeç, banues në Vorë, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
Shtetasit E. I., dhe A. I., për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin A. M. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi A. M., ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, të shtetasve B. Xh., A. T., dhe R. M.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale