Partia Demokratike zyrtarizoi mesditën e së hënës dy kandidaturat për kryetar të kësaj partie për zgjedhjet që do të mbahen më 22 maj. Veç Sali Berishës, i cili e kishte shpallur kohë më parë synimin e tij për t’u rikthyer në krye të partisë më të madhe opozitare në vend, surprizë ishte emri i Ibsen Elezit, i cili do të synojë të rivalizojë liderin historik demokrat.
Por kush është Ibsel Elezi? Ai ka qenë kreu i degës së Partisë Demokratike në Kukës, ndërsa njihet edhe si një kritik i madh i kësaj force politike. Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, kur PD pësoi humbjen e radhës, Elezi ishte një nga zërat më aktivë, së bashku me Edith Harxhin dhe Edvin Kullurin, për largimin e Lulzim Bashës.
Ai tentoi ta rivalizonte në atë kohë Bashën në zgjedhjet që u mbajtën vitin e kaluar për kryetar të PD, por kandidatura e tij nuk u pranua me arsyetimin se nuk kishte punuar për partinë në zgjedhjet e 25 prillit.
Tashmë, ai është bërë pjesë e një gare thuajse të pamundur, por ndali referendumin në PD. Pak ditë më parë, Berisha u shpreh se edhe nëse nuk do të kishte rivalë më 22 maj, ai do të futej në këtë proces, të cilin do ta quante një referendum dhe demokratët do të pyeteshin nëse do ta donin rikthimin e ish-kryeministrit në krye të PD-së.