Kuvendi nisi sot zyrtarisht procesin e zgjedhjes së presidentit të ri. Konferenca e Kryetarëve u mblodh për të diskutuar mbi kalendarin e posaçëm për raundet e votimit për kreun e ri të shtetit.
Në fillim të mbledhjes, kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla tha se i qëndron datës së propozuar për raundin e parë, 16 maj ora 17:00. “I qëndroj propozimit të bërë për të bërë votimin e parë në datën 16 maj në orën 17:00. Kjo datë është një datë e përshtatshme dhe brenda afatit që ka përcaktuar Kushtetuta” tha Balla.
Deputetja demokrate Flutura Açka ishte kritike me socialistët. “Më kujtohet zgjedhja e Presidentit të parë, me një të rënë të dorës, u zgjodh në raundin e tretë. Në fund të fundit jemi këtu për të sjellë sadopak frymën europiane.
Kam frikërat e mia në këtë pikë. E shatë, e bëtë, hëngrët ngjala, e sollët, e bëtë President, e shatë prapë, e çuat në Kushtetuese. ju duhet të kërkonit ndjesë për zgjedhjen e presidentit aktual e më pas të vijonit. Nuk mjaftoi kaq, por hapët një proces që e shitët si proces të mbyllur.
Nëse e kishit të mbyllur dhe privat, s’kishit pse e bënit publike procesin e përzgjedhjes së presidentit. Ju kanë dalë 200 e ca Presidentë. Ky si proces, ndoshta pa dashje u bë disi pis.
Unë për veten time e shoh që huqi nuk do t’ju lë të negocioni me ne. Unë kam bindjen që ju e keni zgjedhur Presidentin dhe ne këtu jemi si buzëkuqi juaj për t’u dukur bukur ndaj Evropës.
Ju zgjodhët Ilir Metën dhe tani kërkoni t’i bëni funeralin politik. Ju duhet t’u kishit kërkuar falje qytetarëve. Ju e keni zgjedhur Presidentin. Unë jam e bindur. Për të mos thënë edhe emra.
Sepse ju keni vetëm dy kritere, ose birin e një komunisti, ose ndonjë lëpirës dore. Dhe ne na doni vetëm për “buzëkuq” këtu” tha ajo.
Sipas Kushtetutës, procedura për zgjedhjen e presidentit duhet të nisë 60 ditë përpara mbarimit të mandatit presidencial, ndërsa raundi i parë i votimit zhvillohet jo më shumë se 7 ditë nga fillimi i saj.
Gjithsej zhvillohen pesë raunde votimi, ku tre të parat kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 84 votash për zgjedhjen e presidentit, ndërsa për dy raundet e fundit nevojitet një shumicë e thjeshtë, 71 vota.