Teta pako me heroinë dhe 2 me kokainë janë zbuluar nga policia në autobusin e linjës Berat-Athinë në Kakavijë. Për këtë rast është vënë në pranga një person.
“Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, pas verifikimit të të dhënave në sistemin TIMS, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë pasagjerët e autobusit të linjës Berat-Athinë. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetases Elira Varfi, e cila udhëtonte si pasagjere në këtë autobus, është bërë e mundur gjetja e 10 pakove me lëndë të dyshuar narkotike, në 8 prej të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike heroinë(me peshë totale 4 kg e 160 gramë), ndërsa 2 pako kishin lëndë të dyshuar narkotike kokainë (me peshë totale 780 gramë.)
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër u bë arrestimi në flagrancë i shtetases E. V., 38 vjeçe, banuese në Fier”.