Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja është përplasur sot me replika dhe akuza me kryetarin e grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj në komisionin e ligjeve ku zyrtari i lartë i qeverisë raportoi për punën e institucioneve të reja për vitin që u mbyll, 2021-shin.
Alibeaj e akuzoi se qeveria po i bën presion SPAK-ut duke i kërkuar që të hetojë kundërshtarët politikë. Por Manja këtë e cilësoi thjesht një kërkesë për më shumë dhe ndërhyrje cilësoi kërkesën e Sali Berishës që Vettingu të kalonte në filtër me shpejtësi gjyqtaren Blerina Muça, që ka në dorë fatin e vulës së PD-së në Apel.
Debati në komisionin e Ligjeve
Enkelejd Alibeaj: Ti kërkosh prokurorisë të japë përgjigje, cfarë bëhet me 4 cështje, që thotë i kam regjistruar si vepra penale, besoj se kjo lidhet me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore që ka këshilli i ministrave. Të kërkosh hetime të shpejta, kjo lidhet me efektivitetin e sistemit të drejtësisë. A mund të flasim për efektivitet, kur nga mos hetimi skadojnë afatet. Unë e konsideroj një thirrje, një kërkesë për performancë për këto institucione.
Ulsi Manja: Po, ndërhyrje e drejtpërdrejt në pavarësinë e gjyqësorit dhe vendimmarrjes është ajo që ndodhi para pak ditësh, që u masakrua një gjyqtare e gjykatës së Tiranës pse referuar bindjes së brendshme dhe provave dha një vendim, u masakrua, derisa u mbërrit edhe me një kërkesë të përshpejtuar për ta kaluar me shpejtësi në vetting. Po kjo është intimidim dhe ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit.
Enkelejd Alibeaj: Skërmitja e dhëmbëve nga kryeministri ndaj SPAK-it, isoja që i mbajtët ju, ju i konsideroni si kërkesë llogarie për performancë, por fryma e ndryshimeve të 2016, ishte distancë e largët jo substanciale, por edhe në aparencë, politika nga drejtësia. Ju thatë, se vetëm për 4 cështje, pse nuk ka vepruar SPAK. Pse nuk lëshuat ton kërcënues për dosjen 184 që është zvarritur dhe ping pongun nga Dibra në Tiranë.
Ulsi Manja: Të jesh i vogël në shpirt, vesi del me shpirtin. Për atë gjyqtaren ti nuk e ke kurajon ta thuash që është ndërhyrje në punët e drejtësisë.