Mesditën e sotme u plagos me armë zjarri në Durrës, Ardit Kërtusha. Ai ka qenë ish-kandidat për kryetar të PS-së në Durrës në 2020, por në fund u tërhoq nga gara.
Një vit më pas, si pasojë e pakënaqësive me pushtetin, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit iu bashkua PD-së së drejtuar nga Lulzim Basha.
“Ka shumë ndërhyrje nga më të paimagjinueshmet që zgjedhjet në Durrës të mos zhvillohen por të emërojnë edhe një herë në krye të degës marionetën e preferuar të Vangjushit.
Fushata ime në kryefjalë të saj kishte përfaqësimin e të gjithë socialistëve durrsakë dhe kush më mirë se një anëtar një vote mund ta mundësojë këtë përfaqësim? Lobuam shumë që ta bënim të mundur por e kotë” ishin disa nga akuzat e tij asokohe.
Por cfarë ndodhi sot?
Sipas policisë gjithçka ka ndodhur rreth orës 13:00, në lagjen nr.1 Durrës, ku dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, 31-vjeçari u qëllua me armë zjarri në këmbë.
Ai ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Policia vijon kontrollin për identifikimin dhe kapjen e autorit të plagosjes. Ende nuk dihen shkaqet.