Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaroi në përfundim të raundit të parë për zgjedhjen e presidentit të ri, që u dogj, që propozimi i parë duhet të bëhet nga opozita dhe shumica ta pranojë. Arsyet që rreshtoi për këtë argument ishin disa.
“Është fatkeqësi që raundi i parë mbaron për 5 minuta e 27 sekonda. Ne bëjmë detyrimin tonë, të merrnim pjesë në proces, arsyetimi është i thjeshtë, shumica nuk e ka legjitimitetin për të zgjedhur presidentin.
Ne me një logjikë të thjeshtë kërkojmë, nëse do presidentin e të gjithë shqiptarëve duhet të jetë një proces konsensual. Presidenti duhet të zgjidhet me 84 vota, që do të thotë konsensus sa më të gjerë. Propozimi të jetë i yni, që të jetë një proces jo farsë” tha ai.
A keni një emër? “Jo, sepse nuk duhet të jetë një proces i tillë që; më jep një arush fotograf, të jap një qen me lesh, nuk jemi ne me këtë. Kemi një sërë kriteresh. Ne presim përgjigje nga shumica. Një nga kërkesat është që; mos prisni që procesi të jetë i dhomave të errëta, pasi janë pazare, në publik, në sytë e publikut, jo president pallati, por president i shqiptarëve” tha ai.
Edhe n/kryetari i LSI-së, Petrit Vasili lëshoi akuza për Edi Ramën. “Ishte një turp e faqe e zezë e vërtetë. Rama do të caktojë rripin e tij të mesit në presidencë, që ta përdorë si të dojë. Akti i parë u luajt dhe komedia mbaroi me 5 sekonda” tha ai. Nesër Konferenca e Kryetarëve cakton raundin e dytë.