Ish-lideri i PD-së, Sali Berisha në kuadër të fushatës elektorale për kreun e partisë ka takuar demokratët në Durrës.
Ai është shprehur se PD-ja ka përballuar të gjitha pengesat që i janë vendosur nga George Sorosi dhe se tashmë ata po bëjnë opozitë të vërtetë.
“Në fillim të kësaj lëvizje, askush nuk parashikonte se sot do ishim një forcë aktive me 40 mijë e më shumë anëtarë. Një ushtri e vërtetë idealistësh, një ushtri e vërtetë misionarësh. Burra dhe gra, djem dhe vajza të një autoriteti të madh moral dhe të veçantë, të cilët u përballën me çdo lloj vështirësie. Unë jam dëshmitar i trysnive të pandershme që u ushtruan ndaj jush nga institucionet e një shteti që nuk njeh ligj e parim. Jam dëshmitar edhe i presioneve të një klientele private që është shndërruar në segmente të mafies shtetërore. Jam dëshmitar i presioneve të mafies së George Soros në çdo hap tonin drejt demokracisë dhe lirisë. Të gjitha këto nuk na kanë penguar.
Kam deklaruar dhe deklaroj se kjo lëvizje është e pandalshme. Ishte shprehur se ky revolucion nuk ndalet më. Koha tregoi që nuk ndalet. Ngadhënjeu mbi çdo pengesë, mbi çdo përpjekje dhe sot ja ku jemi; opozitë e vërtetë e Shqipërisë,” tha Berisha.