Me rastin e vizitës së presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviç, në Prishtinë, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut të disa segmenteve rrugore dhe në zona të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete zyrtare.
Përgjatë kësaj vizite Policia e Kosovës do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
Njëkohësisht, për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në zonat ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
Gjukanoviç, nesër do të arrijë për vizitë zyrtare dyditore në Kosovë ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca.