Nga Dylber Balla
Tre ditë më parë në QSUT u këput ashensori me pacienten dhe një infermier brenda duke shkaktuar lëndimin e tyre, por që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe prokuroria nisën hetimin në gjendje të lirë për administratorin dhe teknikun e firmës që fituan tenderin për mirëmbajtjen me vlerë 14.5 milionë lekë, ndërsa Inspektorati deklaroi se ashensori brenda në QSUT rezulton se ishte i paregjistruar.
Administratori i firmës së mirëmbajtjes Ardian Sulollari deklaroi se nuk është përgjegjësi e tij regjistrimi, por vetëm mirëmbajtja. Po QSUT, a ka përgjegjësi? Kush e monitoron zbatimin e kontratës?
“5pyetjet.al” kontaktoi me drejtoreshën e QSUT-së, Albana Fico e cila u shpreh se institucioni që drejton, i ka zbatuar detyrimet që i ngarkon ligji, ndërsa kishte një përgjigje edhe për inspektoratin e mbikëqyrjes së tregut.
“Për gjëra që janë në hetim nuk do të doja të flisja. Praktikisht për gjërat që disponojmë i kemi bërë të gjitha praktikat, përfshirë edhe cfarë na është kërkuar. Do ia lëmë kohës, pasi është jashtë administrimit të QSUT-së.
Për cdo gjë që ka të bëjë me posedimin, mirëmbajtjen, kolaudimin, cdo gjë nga ana jonë është kryer korrekt dhe është dokumentuar. Për cdo gjë që ka të bëjë me inspektoratin, komunikoni me ata, pasi nuk besoj se cështja lidhet me një organizëm. Ata do të ishin personat korrekt.
Dy gjëra janë, në atë që unë kuptoj, që e kuptoj saktë, që përgjegjësia me të cilën është bërë procedura, një kohë që unë nuk kam qenë, di që është kryer në një garim të hapur, ka pasur një fitues.
Termat e kontratës nga ana jonë janë të zbatuara nga ana jonë dhe e tyre. Për cdo kontratë ka grup monitorimi kontrate apo sektor që e ndjekin. Kjo është një praktikë që është bërë vite e vite në QSUT. Këtu nuk është se kemi ndonjë problematikë.
Inspektorati në ndryshim të ligjit post-tërmet ka përpiluar gjëra të tjera. Cfarë kërkojnë te ne jemi të disponueshëm. QSUT është korrekte në kryerjen e procedurës. Unë ka pasur asnjë indicie në dijeninë time që ndonjë ashensor do të kishte çeduar.
Proceduralisht nuk gjej asnjë, hap të pa ndjekur” deklaroi Fico. Pyetja ngelet pa përgjigje, kush e ka përgjegjësinë që ashensori në mes të QSUT-së ishte i paregjistruar? Fjalën e ka drejtësia.