Kur kanë mbetur dhe pak ditë nga finalja e Conference League ndaj Feyenoordit, Roma ka nisur përgatitjet intensive. Italianët kanë fillimisht një “finale” në kampionat përballë Torinos, ku fitorja është një detyrim në rast se kërkojnë objektivin Europë sezonin tjetër.
Megjithatë tekniku Jose Mourinho, në konferencën për shtyp, u ndal dhe tek eventi i Tiranës të cilin e konsideroi shumë të rëndësishëm jo vetëm për dy skuadrat finaliste por edhe vetë shqiptarët.
“Me, apo pa Kumbullën, shqiptarët duhet të jenë në anën tonë. Nëse Roma fiton Kupën, një shqiptar e fiton Kupën. Ne luajmë një finale të premten, të tjerët janë me pushime, nuk mund të jemi të barabartë. Jam entuziast që finalja luhet në Tiranë, nuk kam luajtur kurrë atje. Kam disa miq të rëndësishëm në Tiranë. Fakti që stadiumi ka një kapacitet të reduktuar për dy klube si Roma dhe Feyenoord është e vetmja gjë negative ’’.
Për Shqipërinë kjo është një ngjarje historike pasi për herë të parë mirëpret një finale ndërkombëtare.