Besjan Xhixha, 31 vjeç, është një nga personat që u vu në pranga nga operacioni “Plumbi i Artë”. Në seancën maratonë të kësaj të shtune për dhënin e masave të sigurisë, ai ka folur për njohjen e tij me Nuredin Dumanin, por edhe lidhje e pretenduara të “killerit” me politikën e prokurorë.
Xhixha është shprehur se e njeh mirë Dumanin, pasi e ka strehuar atë për më shumë se një vit. Ai është shprehur se Dumani po gënjen.
Ndërkohë, Besjan Xhixha ka nxjerr edhe një emër për të cilin, sipas tij Nuredin Dumani, i kishte thënë se kishte lidhje. Ai është prokurori i SPAK, Altin Dumani.
“Nuredin Dumani ka kryer 12 vrasje. Pas çdo vrasje, na ka thënë se nuk më gjen asgjë, pasi ka lidhje me ministra, deputetë, prokurorë, madje më ka thënë që ka lidhje me prokurorin Altin Dumani. E ka njeriun e vetë dhe ndihej i mbrojtur. Dumani është strehuar më shumë sesa një vit e gjysmë në shtëpinë time dhe e njoh dhëmbë e dhëmballë, madje një dhemb prej floriri e kemi vendosur tek një i afërmi im, nëse doni shkoni e verifikoni. Dumani duhet të flasë për të gjitha krimet që ka kryer, nëse me të vërtetë është i penduar”.
Kush është Altin Dumani?
Ai ka lindur në Shupenzë të Dibrës. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha. Ka një karrierë prej 20 vitesh si prokuror, në mars të vitit 1999, ka shkelur për herë të parë në prokurori, me detyrë në Sarandë.
Ai u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000, një post sipas Dumanit që u refuzua nga shumë të tjerë për shkak të çështjeve problematike atje. Ai bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008.