-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Si po shpërdorohet e ardhmja e kryeqytetit!

Kryesoret

Tiranës së sotme nuk i ka mbetur pothuajse asgjë nga ajo e 30 viteve më parë. Hapësirat e gjelbra janë ngushtuar. Ndërtesa të reja po lartësohen çdo ditë, ndotja është shtuar, trafiku ka raste që është i papërballueshëm, parkimi është një mision, pothuajse i pamundur.

Ishte normale që kryeqyteti (ashtu si i gjithë vendi) do të zhvillohej pas viteve ‘90, pas ndryshimeve të vrullshme që pësoi vendi dhe lëvizjeve të mëdha demografike. Në dekadat e para, ndoshta nga padija, ndoshta nga makutëria, zhvillimi ishte rastësor, pa plan, duke shfrytëzuar pa kriter hapësirat që Tirana i kishte me bollëk, sidomos në atë që quhej periferia e saj.

Ky ritëm i lartë solli dhe maturimin e sektorit të ndërtimit (rënien e tij në raport me madhësinë e ekonomisë dhe investimeve të brendshme) pas vitit 2012. Kryeqyteti u duk se do të merrte pak frymë, edhe pas deklarimeve se kishte mijëra apartamente të pashitura dhe premtimin se do të ndiqej një politikë e zero leje ndërtimi.

Por, pas 2016-s, ndërtimi hyri në një cikël të ri rritës “të papritur”, që nuk po di të ndalet. Në vitin 2021, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhëna në kryeqytet arriti në 1.4 milionë metra katrorë, që mund të jetë më e larta në këto 30 vite tranzicion, me përjashtim, ndoshta të vitit 2003.

Një zhvillim me plan, duke ruajtur ekuilibrin mes hapësirave të gjelbra, lëvizjeve të trafikut, kritereve të ndotjes dhe kërkesës reale, do të ishte më se i pranueshëm. Askush nuk është kundër progresit, por në të gjithë botën, ai po bëhet në kuadër të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Ky i fundit mund të përkufizohet si zhvillim që plotëson nevojat e brezit aktual, pa kompromentuar aftësinë e brezave të ardhshëm për të përmbushur nevojat e tyre.

A po ndodh ky zhvillim i qëndrueshëm tek ne? Dukshëm që jo. E vërtetë që ka një kërkesë të shëndetshme nga familjet me të ardhura mesatare, për të blerë apartamente, e mbështetur dhe nga bankat. Kjo kërkesë do të ekzistojë gjithnjë.

Por, vlerësimet janë se 40% e ndërtimit qarkullon paratë informale, nga disa kompani, kryesisht në kullat e shtrenjta. Paraja informale duket se ka qenë lobuesi kryesor për të rritur sipërfaqen me leje ndërtimi, por edhe për të dyndur ndërtimet në zona afër qendrës, ku normat e pritshme të fitimit janë dhe më të larta. Është për të vënë kujën që Tirana po shkatërrohet, sepse ka disa individë që nuk po dinë ku të “parkojnë paratë”.

Vetë operatorët e tregut pohojnë se, pjesa më e madhe e tyre, nuk kanë interes të shesin, por i mbajnë për investim, për t’i dhënë me qira, apo për t’i rishitur më vonë, kur të rritet çmimi. Në fakt, ky “murëzim” i parave ka qenë një nga faktorët, krahas rritjes së kostove të lëndëve të para, që ka ndikuar në shtrenjtimin e shpejtë të apartamenteve vitet e fundit, me ritme shumë më të larta sesa të ardhurat, duke e bërë pothuajse të pamundur për një familje normale që të blejë një apartament në një zonë të mirë.

Vetë Bashkia, për momentin, po u gëzohet të ardhurave më të larta që po merr nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja. Në tre vitet e fundit, ajo ka sjellë më shumë se 30% të të ardhurave totale në buxhetin e kryeqytetit, duke e bërë atë të varur nga ky burim i kufizuar (hapësirat po mbarojnë dhe leje nuk mund të jepen pafund).

Një volum i tillë duhet të kishte prodhuar një rezultat më të dukshëm në infrastrukturë (rrugë, parqe e parkime), që shoqërojnë këto ndërtime. Në kahun tjetër, ka pak informacion se sa këto të ardhura janë përdorur për të përmirësuar jetën e qytetarëve, për të lehtësuar trafikun, për të shtuar gjelbërimin, apo sa janë investuar për të siguruar infrastrukturat e nevojshme publike, si dhe operimin e tyre në të ardhmen përballë këtij fluksi të lartë ndërtimesh, gjithnjë pa rënduar në buxhetet e gjeneratave të ardhshme!.

Për bizneset, që kanë kapitale të lira, apo dhe ata që nuk dinë ku të çojnë paratë, ndërtimi është sektori që ka kthim më të lartë dhe më të shpejtë dhe është më lehtë që të kanalizojnë paranë informale. Nuk mund t’u vëmë “faj” këtyre, që përdorin të gjitha rrugët e mundshme për të maksimalizuar fitimet, në një afat sa më të shpejtë.

Janë institucionet shtetërore ato që duhet të kenë vizion, të mendojnë përtej një mandati, – apo rifitimit të tij, – dhe të orientojnë politikat e zhvillimit të një vendi drejt sektorëve ku vendi ka avantazh konkurrues.

Kërkesë të lartë, për të ndërtuar në mes të qytetit, mund të ketë p.sh., dhe në Vjenë, apo në Romë, por qeveritë atje kujdesen më shumë për të ruajtur vlerat e qytetit, sesa të rendin drejt fitimeve afatshkurtra.

Nuk ditëm, apo nuk deshëm, të mësonim nga gabimet e së kaluarës. Për fat të keq, pasuria e të gjithëve po vazhdon të keqshfrytëzohet dhe e ardhmja e kryeqytetit po shitet në kurriz të brezave që do të vijnë. Kjo duhet ndalur, sa nuk është vonë!/ Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit