Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferraj thirri sot në interpelancë ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi për dhënien me qira apo shitjen e pronave të ushtrisë në disa baza ushtarake.
Deputeti demokrat e vendosi theksin te bazat ushtarake në Kuçovë, Pashaliman, Kepin e Palit dhe Porto Palermo.
“Keni dhënë pa kriter baza ushtarake për projekte turistike. Nxorët nga plani i përhapjes pa miratimin e presidentit, pjesë nga bazat e; Pashalimanit, Kepit të Palit dhe Porto Palermos 60% e sipërfaqes së bazave u nxorën nga plani. Ne nuk kemi qeveri, por një çetë”.
Konkretisht, për bazën e Kuçovës ai denoncoi. “Për bazën e Kuçovës isha në 18 maj, atje më thanë që investimet kanë filluar me qeverinë turke që në vitin 2000.
Në Kuçovë një sipërfaqe 2 mijë m2 është dhënë me 1 euro për 20 vite, 6254 m2 është shitur me 6.5 mln lekë. Ndërkohë që NATO procedonte me vlerësimin në 2015-2016 pjesë të bazës jepen me një euro m2 ose shiten” tha ai.
Niko Peleshi bëri një bilanc të pronave të ushtrisë dhe u justifikua për disa projekte zhvillimi.
“1372 prona të ushtrisë janë në administrim të ministrisë. 1193 prona prej tyre janë në dispozicion të Financave dhe Ekonomisë në dispozicion të ushtrisë, nuk na duhen.
Nëse do të vendosim një ushtar në turn për ruajtjen e tyre do të na duhen të ishte e gjithë ushtria në dispozicion.
Nuk kam dhënë asnjë pronë me qira dhe nuk kam privatizuar asnjë. Por nuk mburrem me këtë, sepse një ministër dhe një qeveri do të quhet se e ka bërë mirë punën kur pronën e ka vendosur në eficencë” tha Peleshi.
“Ishe dobët, jo si zyrtar që nuk di, por se po mbroje cështje që nuk i mbron dhe i lëshove paraardhësit, por i justifikove me kërkesën për zhvillim, por kur erdhi puna tek ju, thatë që nuk keni dashur. Pra fole, por nuk the asgjë” ishte replika e Xhaferrajt.
Por në fund, Peleshi i kujtoi SHQUP-in, (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore) që PD kur ishte në pushtet e mori për ta kthyer në selinë e partisë.
“Shtëpia juaj, SHQUP-i ka qenë pronë në planin e përhapjes e nxorët me urgjencë për 24 orë” tha Peleshi.