Policia e Kukësit ka bërë të mundur arrestimin e një 43-vjeçari, pasi po transportonte 28 kg drogë në automjetin e tij.
Gjithashtu është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Njoftim
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Thirra”, i zhvilluar nga strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë e Rrethit Kukës.
Transportonte 28 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me automjetin e tij, arrestohet në flagrancë 43-vjeçari.
Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Sekuestrohen 28 kg lëndë e dyshuar narkotike, 1 automjet dhe një sasi parash.
Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë policore, se një shtetas do të shiste një sasi lënde narkotike në qytetin e Kukësit, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Thirra”.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. V.(P)., 43 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë operacionit, në afërsi të tunelit të Thirrës, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin tip “Ford”, me drejtues shtetasin M. V.(P). Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 28 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi tjetër lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi E. LL., 32 vjeç, banues në Prosek, Mirditë, i cili shoqëronte shtetasin M. V., me automjetin e tij tip “Nissan”.