-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

12 parashikime, çfarë e pret botën?

Kryesoret

Si ta kuptojmë situatën aktuale në botë? Koha që kalova në Forumin e Davosit javën e kaluar, i kristalizoi përgjigjet e mia në formën e 12 parashikimeve.

Parashikimi im i parë: Bota kërcënohet “nga shpata, uria dhe nga murtaja” siç paralajmëroi Ezekieli në Bibël.

Në fillim ishte pandemia e Covid-19, pastaj lufta në Ukrainë, dhe tani uria, pasi janë ndërprerë eksportet e ushqimit, plehrave dhe energjisë. Këto na kujtojnë brishtësinë tonë ndaj goditjeve të paparashikueshme, dhe mjerisht jo të paimagjinueshme.

Parashikimi nr.2: “Është politika, budalla!” Xhejms Karvil, strategu i fushatës së Bill Klinton propozoi sloganin e famshëm elektoral “Është ekonomia, budalla!” Por primati i ekonomisë nuk mund të supozohet më. Epoka jonë është ajo e luftërave kulturore, politikave të identitetit, nacionalizmit dhe rivalitetit gjeopolitik. Ajo është gjithashtu për pasojë një epokë e ndarjeve, brenda për brenda dhe midis vendeve.

Parashikimi nr.3: Teknologjia do e vazhdojë “marshimin” e vet transformues. Covid-19 solli me vete dy surpriza të mirëpritura: aftësinë për të zhvilluar online një pjesë të mirë të jetës sonë normale; dhe kapacitetin për të zhvilluar dhe prodhuar vaksina efektive me një shpejtësi të mahnitshme, edhe pse duke dështuar në ofrimin e tyre në mënyrë të barabartë.

Parashikimi nr.4: Ndarjet politike midis demokracive me të ardhura të larta nga njëra anë, dhe Rusisë dhe Kinës nga ana tjetër, janë tani shumë të thella. Përpara pushtimit rus të Ukrainës, mbijetesa e një koncepti gjithëpërfshirës të “Një bote” dukej të paktën e imagjinueshme. Por luftërat janë transformuese.

Oferta e Kinës për një partneritet “të pakufishëm” me Rusisë, mund të ketë qenë vendimtare në vendimin e Putinit për të rrezikuar nisjen e pushtimit. Lufta e tij është një sulm ndaj interesave dhe vlerave thelbësore perëndimore. Ajo e ka bashkuar për momentin SHBA-në dhe Evropën. Dhe kjo duhet të jetë vendimtare për qëndrimin e Evropës ndaj Kinës: një fuqi që mbështet një sulm të tillë, nuk mund të jetë kurrsesi një partner i besueshëm. Marshimi drejt totalitarizmit i të dyja këtyre autokracive, duhet të thellojë ndarjen globale.

Parashikimi nr.5: Me gjithë ngritjen e Kinës, Perëndimi, me demokracitë me të ardhura më të larta, është shumë i fuqishëm. Sipas FMN-së, këto vende përbëjnë ende sot 42 për qind të prodhimit global me barazinë e fuqisë blerëse dhe 57 për qind me çmimet e tregut të këtij viti, kundrejt 19 për qind që zë Kina.

Po ashtu ato emetojnë monedhat rezervë të rëndësishme. Kina ka më shumë se 3 trilionë dollarë rezerva valutore, ndërsa SHBA-ja gati asnjë. Në vend të kësaj, ajo mund t’i printojë ato. Aftësia e SHBA-së dhe aleatëve të saj për të ngrirë një pjesë të madhe të rezervave valutore të Rusisë, tregon se çfarë do të thotë kjo fuqi. Megjithatë, fuqia perëndimore nuk është vetëm ekonomike por edhe ushtarake. Si do të kishte dalë ushtria ruse nëse do të ndeshej me atë të NATO-s?

Parashikimi nr.6: Megjithatë Perëndimi është shumë i ndarë brenda vetes. Shumë politikanë të tij ishin mbështetës entuziastë të Putinit. Një prej tyre ishte Marin Lë Pen. Në Evropë, Viktor Orban është i mbijetuari më i zëshëm i këtij grupimi. Në SHBA, autoritarizmi ksenofobik, mbetet një grup idesh udhëheqëse në të djathtë.

Jehona e sulmit të Donald Trump mbi tiparin më themelor të demokracisë – transferimin e pushtetit përmes një votimi të ndershëm – ndihet ende në SHBA. Shumica e këtyre njerëzve e shohin si një model autokracinë nacionaliste të Putinit. Nëse ata rikthehen në pushtet, uniteti perëndimor do të shkatërrohet.

Parashikimi nr.7: Në një periudhë afatgjatë, Azia ka të ngjarë të bëhet rajoni ekonomik dominues i botës. Vendet në zhvillim të Azisë Lindore, Juglindore dhe Jugore përbëjnë gjysmën e popullsisë së botës, kundrejt 16 për qind për të gjitha vendet me të ardhura të larta së bashku. Sipas FMN-së, PPB-ja mesatare reale e këtyre ekonomive aziatike është rritur ndjeshëm, por jo vetëm për shkak të Kinës.

Parashikimi nr.8: Demokracitë me të ardhura të larta duhet të përmirësojnë lojën e tyre politike, nëse duan që t’i bindin vendet në zhvillim që të bashkohen me to kundër Kinës dhe Rusisë. Pak vende i pëlqejnë këto autokraci. Por Perëndimi e ka humbur ndjeshëm mbështetjen, për shkak të luftërave të tij të dështuara dhe ndihmës së pamjaftueshme, veçanërisht gjatë pandemisë së Covid-19. Shumica e vendeve në zhvillim do të përpiqen të kenë marrëdhënie të mira me të dyja palët.

Parashikimi nr.9: Bashkëpunimi global mbetet thelbësor. Sado të thella që të bëhen përçarjet, jetojmë që gjithë në këtë planet. Ndaj duhet të shmangim luftërat kataklizmike, kolapsin ekonomik dhe mbi të gjitha shkatërrimin e mjedisit. Asnjë nga këto nuk ka të ngjarë të ndodhë, pa një nivel minimal bashkëpunimi. Por a është kjo e mundur? Jo.

Parashikimi nr.10: Zërat mbi “vdekjen” e globalizimit janë të tepruara. Amerikanët janë të prirur të mendojnë se perspektiva e tyre është norma globale. Shpesh nuk ndodh kështu. Shumica e vendeve e dinë se tregtia e gjerë nuk është një luks, por një domosdoshmëri. Pa të, ata do të varfëroheshin shumë.

Perspektiva më e mundshme është që tregtia të bëhet më pak amerikane, më pak perëndimore dhe më pak e dominuar nga prodhuesit. Tregtia e shërbimeve ka të ngjarë të lulëzojë shumë, e nxitur nga ndërveprimi ndërkufitar në internet dhe inteligjenca artificiale (AI).

Parashikimi nr.11: Duke pasur parasysh sfidat e mëdha politike dhe organizative, shanset që njerëzimi të parandalojë ndryshimet e dëmshme klimatike janë të pakta. Emetimet e gazrave serë ranë në vitin 2020 për shkak të Covid-19. Por kurba mbetet ende e palakuar.

Parashikimi nr.12: Inflacioni është rritur në një mënyrë të paparë për 4 dekada. Pyetja është nëse bankat qendrore do të arrijnë ta ruajnë besueshmërinë e tyre. Inflacioni i lartë dhe rënia e të ardhurave reale janë një kombinim i dëmshëm në aspektin politik. Ato do të pasohen nga trazirat. Ne në Perëndim duhet të menaxhojmë ndryshimet e thella dhe konfliktet vdekjeprurëse, në një epokë të ndarjeve dhe zhgënjimit. Udhëheqësit tanë duhet të ngrihen në lartësinë e kësaj sfide. A do ta bëjnë ata këtë? Shpresojmë që të ndodhë kështu. / Nga Martin Wolf (“Financial Times”)  / Bota.al

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit