Mazhoranca vendosi këtë të premte që në raundin e katërt për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës të çojë për votim në Kuvend kandidaturën e Bajram Begaj.
Aktualisht, Begaj mban postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe gradën Gjeneralmajor, Bajram Begaj.
Mazhoranca i ka mjaftueshëm votat për ta zgjedhur në seancën e nesërme atë si kreun e ri të shtetit, por para se të shkoj në votim, emri i tij është në dorën e presidentit Ilir Meta.
Bajram Begaj aktualisht mban postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe pa u liruar nga kjo detyrë ai e ka të ndaluar të kandidojë për postin e Presidentit të Republikës.
Lirimin e tij nga detyra e ka në dorë presidenti aktual Ilir Meta, ashtu siç e përcakton pika 3 e nenit 169 në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
“Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore,” thuhet në Kushtetutë.
Përveç kësaj, presidenti Ilir Meta duhet ta lirojë Bajram Begajn dhe nga grada Gjeneral Major duke e kaluar në gjeneral në lirim, që ai të ketë mundësinë të kandidojë për President dhe të votohet nesër në Kuvend.
Nëse presidenti Ilir Meta nuk merr këto hapa, sipas ligjit, Bajram Begajt nuk i lejohet të kandidojë për t’u zgjedhur në postin e kreut të shtetit. Nëse do zgjidhet pa dekretin e Metës, atëherë do të rihapej një tjetër çështje e rëndësishme e shumëdiskutuar, për të cilën do të ishte Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendoste.