Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, ka njoftuar se në takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Ivan Korocok, ka kërkuar nga ky i fundit mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, në takim me kryediplomatin sllovak e Forumit GLOBSEC 2022 në Bratislavë, ka përsëritur faktin se Kosova si vend më demokratik në Ballkan duhet ta ketë vendin në Këshillin e Evropës.
Ndryshe, të enjten e 12 majit, Kosova zyrtarisht kishte dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Një gjë e tillë ishte bërë i ditur nga shefi i kabinetit të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Sharr Jakupi, përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, ku ndër të tjera kishte njoftuar se Gërvalla personalisht ka dorëzuar aplikimin në këtë organizatë, pas takimit që ajo ka realizuar me zyrtarët e Këshillit të Evropës.
“Ministrja dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, sapo ka përfunduar takimin e saj në Këshill të Evropës ku ajo e ka dorëzuar personalisht aplikimin. Konfirmoj se zyrtarisht Kosova ka aplikuar për anëtarësim të plotë në Këshill të Evropës”, ka shkruar Jakupi.