Qeveria shqiptare ka miratuar sot vendimin që i jep 1 milion euro ndihmë humanitare Ukrainës për të përballuar pasojat e luftës pas pushimit të Rusisë prej më shumë se tre muajsh. Tirana zyrtare përpos ndihmës është bashkuar me sanksionet e SHBA-BE-së kundër Rusisë. 6 miliardë euro janë mbledhur nga konferenca ndërkombëtare e donatorëve në Varshavë për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e Ukrainës, ku i pranishëm ishte edhe Edi Rama që premtoi shumën 1 mln euro, që sot u zyrtarizua.
VENDIMI
DHËNIE NDIHME FINANCIARE HUMANITARE NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR MBËSHTETJEN E QEVERISË SË UKRAINËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e ndihmës financiare humanitare nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për qeverinë e Ukrainës, në shumën 1 000 000 (një milion) euro.
Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në programin buxhetor 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, llogaria ekonomike 605, t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 1 000 000 (një milion) eurosh.
Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2022.
Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.









