Policia ka arrestuar një hajdut ditën e sotme në Tiranë, ndërsa shoku i tij është shpallur në kërkim për vjedhjen e disa motorëve. Blutë kanë publikuar edhe një video të njërit prej episodeve të vjedhjes, që e çoi policinë në gjurmët e autorëve.
“Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Motos”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3.
Zbardhen dhe dokumentohen disa raste të vjedhjes së motomjeteve, në Tiranë.
Vihet në pranga njëri nga autorët e dyshuar, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore disaditore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Motos”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– Ç. V., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi R. J., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë vjedhur disa motomjete, në zona të ndryshme të Laprakës.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se janë autorë të disa vjedhjeve, konkretisht:
* Më datë 22.02.2021, në oborrin e një spitali, dyshohet se kanë vjedhur motomjetin e shtetasit E. S.;
* Më datë 28.02.2022, në rrugën “Lord Bajron”, dyshohet se kanë vjedhur motomjetin e shtetasit K. Sh.;
* Më datë 14.06.2022, në rrugën “Mahmut Fortuzi”, dyshohet se kanë vjedhur motomjetin e shtetasit B. J.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas” mbyllet njoftimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.