Ditën e sotme Bordi i Transparencës ka njoftuar se çmimi i naftës ka arritur në vlerën 265 lekë për litër. Ky vendim ka shkaktuar një sërë pakënaqësish dhe ka sjellë reagime të shumta, se ky çmim do të sjellë dëme të mëdha në ekonomin e shqiptarëve dhe se shtresa e mesme do të kalojë krizë të rëndë.
Disa ditë më parë u pa si zgjidhje e vetme protesta kundër rritjes së vazhdueshme të çmimeve jo vetëm e naftës. Vala e protestave nisi që të mërkurën me një marshim nga sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, ku qytetarët shprehën pakënaqësitë e tyre në lidhje me krizën në vend. Ditën e djeshme u paralajmëruar që protesta do të vazhdonte dhe këtë të premte po njësoj si dy ditë më parë, ku protestuesit do të mblidheshin në shesh në orën 18:00 dhe do të “ankoheshin” para kryeministrisë për problemet e shkaktuara nga kriza.
Ajo që ra në sy sot edhe pse çmimi i naftës është më i larti që nga fillimi i luftës në Ukrainë, protesta nuk vijoj siç ishte planifikuar. Duhet theksuar se edhe dy ditë më parë ajo zgjati vetëm një orë, dhe se protestuesit ishin më të paktë në numër sesa në protestat e organizuara më herët për rritjen e çmimeve, ato të marsit të këtij viti.