Komisioni Evropian do të rekomandojë dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, thanë disa burime per Radio Evropen e Lirë.
Megjithatë, sipas tyre, statusi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian për këto dy shtete do të vijë me disa kushte.
Komisioni Evropian pritet më 17 qershor të japë mendimin për aplikimet për anëtarësim që kanë dorëzuar Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia.
Burimet thanë se Gjeorgjia do të marrë zotim se do t’i jepet statusi i vendit kandidat pasi të plotësojë disa kushte specifike.
Rekomandimet vlerësohen si shtysë e madhe për tri shtetet, veçanërisht për Ukrainën e cila shpreson që të ketë një rrugë më të shkurtër drejt anëtarësimit në BE, teksa shteti përballet me pushtimin e paprovokuar rus.
Burimet thanë se përparimi i mëtejmë për Ukrainën dhe Moldavinë do të kushtëzohet me përmbushjen e disa politikave, teksa Komisioni Evropian do ta vlerësojë sërish situatën në fund të vitit.
Për Ukrainën, këto kushte besohet se përfshijnë transparencën në zgjedhjen e anëtarëve të sistemit gjyqësor, respektimin e minoriteteve kombëtare dhe miratimin e legjislacionit sa i përket luftimit të shpëlarjes së parave dhe de-oligarizimin.
Për Moldavinë, kushtet përfshijnë reforma në gjyqësor, energji, klimë, siguri të ushqimit dhe në politikat e konkurrencës.
Për Gjeorgjinë ka kushte strikte për të marrë statusin e vendit kandidat përfshirë reformat në gjyqësi pasi për vite të tëra Brukseli dhe Tbilisi janë përplasur për këtë fushë.
Burimet thanë se disa çështje mbeten të hapura, sikurse mundësia për të tërhequr statusin e vendit kandidat në rast se nuk ka përparim ose kushtet nuk plotësohen. Po ashtu ka bisedime nëse duhet ose jo të ketë hapa të caktuar politikë që duhet të ndërmerren nga shtetet para se të fitojnë statusin e kandidatit.
Çështje të tilla pritet të diskutohen nga liderët e BE-së gjatë takimit më 23 dhe 24 shkurt në Bruksel, ku do të merret rekomandimi përfundimtar për rekomandimet e Komisionit Evropian, raporton Radio Europa e Lire.
Asnjëherë më parë një mendim i tillë nuk është dhënë kaq shpejt për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vendim që duhet të miratohet nga të 27 shtetet anëtare.
Ky takim i Komisionit vjen një ditë pasi katër liderë evropianë vizituan Ukrainën dhe shprehën mbështetjen e tyre për dhënien e “menjëhershme” të statusit të kandidatit, teksa Kievi po përballet me pushtimin e paprovokuar të Rusisë.