Xhelozia i mori jetën 26-vjeçarit Martin Çeço në Maliq. I riu u gjet pa jetë në rezervuarin e fshatit Kolanec në Maliq dy ditë më parë.
Policia arrestoi tre persona të dyshuar për krimin ndërkohë që ngjarja është zbardhur nga shenjat e dhunës në trupin e viktimës dhe dëshmia e vajzës me të cilën ai shoqërohej muajt e fundit.
E reja u ka treguar hetuesve se më herët ka qenë e lidhur me një prej autorëve i cili e ka vrarë 26-vjeçarin për xhelozi.
Tre të arrestuarit janë;
Bleti Angjo, 38 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi, Pogradec (i dënuar më parë për vjedhje);
Valter Mollaj, 43 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë;
Edlir Mollaj, 35 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë.
Motra e viktimës Kateria Ago shprehet se ishte dijeni të kërcënimeve ndaj vëllait, por nuk i kishin denoncuar autorët, ndërsa tre të arrestuarit tha se nuk i njeh.
“Më thoshte kam një hall. Më tregonte se e kërcënonin, qante por nuk tregonte” tha motra e viktimës.
Natën kur dyshohet se ka ndodhur ngjarja me datën 12 qershor autorët e kishin thirrur Martin Çeçon rreth orës 23:00. Ai ka dalë siç ka qenë i veshur në shtëpi më tuta, bluzë dhe shapka.
Tre autorët dyshohet se e kanë marrë të riun dhe e kanë mbytur me litar, dhe hedhur në rezervuar, dhe për të krijuar idenë se ai është vetëvrarë kanë lënë edhe shapkat e viktimës buzë rezervuarit.
Por ka qenë shenja e dhunës në qafën e viktimës që i orientoi hetuesit drejt vrasjes.