E ngarkuara me punë e Lituanisë u thirr në Ministrinë e Jashtme të Rusisë, ku asaj iu tha se “nëse nuk rivendoset plotësisht tranziti i ngarkesave në rajonin Kaliningrad në të ardhmen e afërt, Rusia rezervon të drejtën të veprojë për të mbrojtur qytetarët dhe interesat e saj”.
Nga ana tjetër, sekretari për shtyp i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Peskov, theksoi se vendimi është i paprecedentë dhe një shkelje absolutisht e çdo gjëje.
Dy ditë më parë, Lituania filloi ndalimin e tranzitit hekurudhor të mallrave që i nënshtrohen sanksioneve të Bashkimit Evropian drejt enklavës së largët perëndimore ruse të Kaliningradit, thanë autoritetet e transportit në vendin baltik.
Lista e sanksioneve të BE-së përfshin qymyrin, metalet, materialet e ndërtimit dhe teknologjinë e përparuar.
Anton Alikhanov, guvernatori i rajonit rus, tha se ndalimi do të mbulonte rreth 50 për qind të artikujve që importon Kaliningrad.
Alikhanov tha se rajoni, i cili ka një port në Detin Baltik, do t’u bëjë thirrje autoriteteve federale ruse që të marrin masa kundër vendit të BE-së për vendosjen e ndalimit.
Ai tha se do të kërkonte gjithashtu të dërgonte më shumë mallra me anije në rajon.
Njësia e ngarkesave të shërbimit shtetëror të hekurudhave të Lituanisë përcaktoi detajet e ndalimit në një letër drejtuar klientëve pas “sqarimit” nga Komisioni Evropian mbi mekanizmin për zbatimin e sanksioneve.