Janë nënshkruar 19 marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë pas mbledhjes së përbashkët të mbajtur këtë të hënë 20 qershori.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e nisi duke cituar një pjesë nga deklarata e mbledhjes së kaluar mes qeverive në Elbasan, që optimizmin që kanë shqiptarët, ta rikthejnë në entuziazëm.
“Bashkëpunimi mes dy shteteve tona duhet ta rindezë atë entuziazëm që pati gjatë luftës”, theksoi Kurti.
Sipas tij, “sfidat, siç e dimë, sot janë të shumta dhe situata politike botërore është rënduar, por në të njëjtën kohë ne mund ta lexojmë këtë situatë më hapur, kur problemet gjeopolitike bëhen të ditura”.
Dy ishin marrëveshjet, të cilat u prezantuan nga ministritë e Financave dhe Ekonomisë në mbledhjen e tetë mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës.
Njëra kishte të bënte me ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës Shqipëri-Kosovë për studimin, vlerësimin dhe hartimin e projektmarrëveshjes për bashkimin doganor dhe tjetra për njohjen e sigurimeve shoqërore mes dy vendeve.
“Memorandumi për ngritjen e një grupi të përbashkët për bashkim doganor është hapi i parë konkret në drejtim të një bashkimi doganor, i cili konsiderohet interes i lartë kombëtar”.