Një 56-vjeçar është vendosur në pranga nga policia e Gjirokastër pasi u kap në Tepelenë duke transportuar emigrantë të paligjshëm.
Një makinë ai kishte 10 emigrantë, të cilët po tentonte ti kalonte në shtetin fqinjë. Fillimisht ai i bëri rezistencës policisë, duke mos ndaluar në postbllok, por u kap disa metra më tej, pas ndjekjes.
Njoftimi i policisë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Gjirokastër dhe Komisariatin e Policisë Tepelenë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 28”.
Në aksin nacional, në qytetin e Tepelenës, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Peugeot” me drejtues shtetasin M. K., i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi.
Pas disa minuta ndjekjeje, në vendin e quajtur “Ura e Luftinjës”, Memaliaj, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit M. K., 56 vjeç, banues në Berat, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit.
Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit që ai drejtonte, shërbimet e Policisë kanë gjetur 10 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët ky shtetas po i transportonte kundrejt fitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe 2 aparate celulare.
Materialet në ngarkim të shtetasit M. K. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.