Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se vendimi për t’ua dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendeve kandidate për anëtarësim në BE, dërgon ” sinjal të fortë për Rusinë”.
“Mesazhi është dërguar sot shumë qartë dhe ne sapo e shqyrtuam atë me presidentin Zelensky. Është një mesazh shumë i fortë, koherent me atë që Evropa jonë ka ditur të bëjë që nga dita e parë e konfliktit, që është: reagimi i shpejtë, historik dhe i bashkuar. Përmes sanksioneve, dy ditë më vonë dhe gjashtë herë që atëherë. Nëpërmjet mbështetjes makroekonomike, ushtarake dhe financiare për Ukrainën. Dhe tani përmes këtij gjesti politik”, tha Macron duke folur në një konferencë shtypi së bashku me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Sipas tij, BE-ja ia ka pasur këtë borxh popullit ukrainas, për luftën që po bën për t’i mbrojtur vlerat evropiane.
“Kjo Evropë e fortë, e bashkuar ka qenë në lartësinë e detyrës. Është një perspektivë evropiane që ne e njohim për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, i cili është një sinjal shumë i fortë për Rusinë. Ne ia kemi borxh këtë popullit ukrainas, i cili po lufton për të mbrojtur vlerat tona, sovranitetin dhe integritetin territorial të tij. Dhe ne i detyroheshim gjithashtu Moldavisë në lidhje me situatën e saj politike, për përpjekjet për destabilizimin që po përjeton dhe bujarinë që tregoi në kontekstin që sapo përmendëm”, ka shtuar ai.