Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Ukraina tashmë ka një “perspektivë shumë të qartë evropiane” pas vendimit të Bashkimit Evropian për t’i dhënë statusin e vendit kandidat.
“Ukraina tani ka një perspektivë shumë të qartë evropiane. Dhe Ukraina është një vend kandidat për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian diçka që dukej pothuajse e paimagjinueshme vetëm pesë muaj më parë,” tha von der Leyen gjatë një fjalimi të mbajtur virtualisht në parlamentin ukrainas.
“Pra, sot është para së gjithash, një arsye për të festuar këtë moment historik, një fitore e vendosmërisë dhe një fitore për të gjithë lëvizjen që filloi tetë vjet më parë në Maidan,” shtoi ajo.
Megjithatë, presidentja e Komisionit Evropian u kërkoi zyrtarëve ukrainas të ecin përpara me reformat kundër korrupsionit.
“Ju keni krijuar një sistem mbresëlënës kundër korrupsionit”, u tha ajo deputetëve ukrainas. “Por tani këto institucione kanë nevojë për shtysë dhe për njerëzit e duhur në postet e larta.”
Fjalimi i Von der Leyen solli duartrokitje në parlamentin e Ukrainës dhe shihet si një sukses i qeverisë së Presidentit Volodymyr Zelensky mbi përpjekjet e tyre për t’u bërë kandidatë për anëtarësim në BE.