Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një bashkëbisedimi me emigrantët e diasporës, tha se nëse ai vjen në pushtet do të firmosë një marrëveshje me Kosovën për shtetësinë.
Sipas tij, çdo shqiptar nga të dyja anët e kufirit, do ketë të drejtën të zgjedhë shtetësinë që do, ose të mbajë dy shtetësi.
“Për fat të keq, është reale. Shqiptarët nuk e njohin mirë historinë, Kosovën e dorëzuan tek divizionet serbomalazeze të Titos. Kjo është e vërteta. Ato nuk futeshin dot në Kosovë. Enver Hoxha thotë se bëmë mirë që ia lamë jugosllavisë. Unë ju garantoj ju, se prapa projektit të Ballkanit të Hapur, Aleksandër Vuçiç, nuk synon asgjë tjetër veçse çvlerësimin e Kosovës, dhe së fundmi siç ishte në projekt, ndarja e saj. Ndarja e saj natyrisht, kryekëput në favor të Beogradit. Pikërisht në funksion të saj është lufta e ftohtë që Tirana i bën Prishtinës. Në funksion të saj është qëndrimi i Edi Ramës në samite ndërkombëtare mbron Beogradin dhe nuk shqipton një fjalë për Kosovën.
BE dhe NATO e kanë problem faktin që Vuçiç nuk pranon të zbatojë sanksionet kundër Rusisë. Rama bëhet avokati i tij duke u thënë se mos i bëni presion Serbisë, pasi 80% e popullit serb e konsideron Putinin një hero të vërtetë. Shqipëria nuk do pranojë kurrë trajtim tjetër ndaj Kosovës përveçse barazisë. Shqipëria, një nga marrëveshjet që do firmosë me Kosovën do jetë marrëveshja e shtetësisë. Cilido shqiptar, në të dyja anët e kufirit, do ketë të drejtën të zgjedhë shtetësinë që do ose të mbajë dy shtetësinë.
Me Kosovën do hiqet ajo që Edi Rama i ofron Serbisë, Shqipëria do ia ofrojë Kosovës. Do lobojmë për njohje të saj ndërkombëtare dhe do ta mbështesë Kosovës në denoncimin e Serbisë në gjykata ndërkombëtare për gjenocidin ciklik serb në veriun e Shqipërisë”, tha Berisha.