Nga Dylber Balla
Shumë kanë dëgjuar, por pak kanë pasur mundësinë të futen brenda. Bëhet fjalë për lokalin që ndodhet brenda parlamentit të Shqipërisë.
Muret janë dëshmitare të ngjarjeve të shumta, intrigave, thashethemeve apo pazareve. Kafeneja është sekret për publikun.
Mediat dhe gazetarët nuk lejohen. Çdo gjë që ndodh brenda nuk duhet të dalë jashtë. Në media janë të pakta fotot që kanë dalë nga lokali.
Dikush denoncon për pirje të duhanit, apo puros, dikush shkon edhe më larg. Por çdo që ndodh aty, për mirë apo keq amnistohet nga vetë ligjvënësit duke e hedhur gjithçka pas krahëve në momentin që dalin.
Vetëm pandemia i nxori ligjvënësit vitin e kaluar jashtë, ku nxorën tavolinat dhe dolën në lulishte për të konsumuar kafen nga frika se ishin ngjitur më tepër sesa duhet mes tyre.
Por “5pyetjet.al” u fut brenda dhe u ndal te çmimet, që janë temë kryesore prej këtij fillim viti në Shqipëri. Menyja nuk ishte e pasur, por çmimet po.
Të lodhur nga seancat e gjata duke debatuar apo heshtja, një kafe për deputetët fillon nga 70 lekë, uji 10 lekë më pak, makiato 80 lekë.
Ligjvënësit që janë të uritur mund të konsumojnë një sanduiç për vetëm 50 lekë, që thuajse është e pamundur që këtë çmim ta gjesh edhe në cepin më të largët të vendit. Dikush tjetër që preferon një byrek shtëpie apo pispili duhet të paguajë 110 lekë.
Mund ta shoqërojnë me një dhallë për 120 lekë. Ata që preferojnë një kos tërshëre, çmimi është sërish bujar. Në fund një zupë vetëm për 100 lekë.
Deputetët nuk janë prekur nga rritja e çmimeve, ndryshe nga qytetarët e thjeshtë edhe në cepin më të largët.