Patosi u trondit ditën e sotme nga një krim në familje, pasi djali plagosi me thikë nënën e tij 50-vjeçe. Banorët të tronditur u shprehën se familja është shumë e mirë dhe gjithçka u duket e pabesueshme. Sipas tyre djali ka qenë emigrant në Gjermani ku punonte në periudha të caktuara dhe vinte sërish në Shqipëri.
“Familje e shkëlqyer. Kaq mund të themi ne. Punonte jashtë shtetit djali në emigrim, vinte e ikte. Nuk kanë pasur debate më përpara, djalë i shkëlqyer” tregon banori.
Një banore tjetër tregon se 50-vjeçares që u godit mëngjesin e sotëm nga i biri, i ka vdekur bashkëshorti që në moshën 37-vjeçare dhe i ka rritur me sakrifica fëmijët e saj teksa shton se familja ishte e qetë dhe nuk kanë pasur debate.
“Atë e kishte kapur Covid, kishte një kollë kështu dhe e kishte kaluar. Mbase ka pasur ndonjë gjë nga Covid, nuk di çfarë të them. Ishte familja më e mirë dhe më e qetë. Nuk ka pasur debate, unë e kam këtu derë për derë. I ka vdekur burri që 37 vjeç, mezi i rriti këta fëmijë.
Grua e shkëlqyer dhe fëmijët aq të shkëlqyer, nuk di se çfarë të them”, shprehet banorja. Djali u arrestua, ndërsa nëna e tij që plagosi me thikë ndodhet në spital.