Ndeshja e parë e Conference League ndaj malazezëve të Iskra-s rezultoi më e vështirë seç pritej për skuadrën e Laçit, që nuk ka mundur të marrë më shumë se barazimin pa gola në “Elbasan Arena”.
Kurbinasit diktuan ritmin e thuajse të gjithë takimit, megjithatë rezultati final i saj është 0-0.
Pjesa e parë u mbyll me barazim pa gola, ndërsa ishin kurbinasit ata që dominuan këtë fraksion. Akinyemi, Guindo dhe Mazrekaj tentuan në disa raste që të gjenin rrugën drejt rrjetës, megjithatë ishin të pafat. Ndërsa në përfundim të kësaj pjese ishte portieri Dajsinani ai që bëri heroin, ndërsa realizoi dy super pritje duke mbajtur të paprekur portën e Laçit.
Edhe pjesa e dytë u dominua nga djemtë e Shpëtim Duros, të cilët e nisën këtë fraksion më kërkues, duke e mbajtur topin në gjysmëfushën e Iskra-s. Në disa raste të njëpasnjëshme kurbinasit kërkuan të gjenin rrugën drejt rrjetës, por pa sukses.
Ndërkohë flagrant mund të cilësohet minuta e 66’, kur një nga mbrojtësit e malazezëve bëri ndërhyrje të gabuar ndaj Akinyemit në zonë, megjithatë për arbitrin gjithçka ishte e rregull dhe nuk akordoi penallti për skuadrën shqiptare.
Ndeshja e kthimit në Mal të Zi do të luhet pas një jave, pra më 14 korrik në Podgoricë, dhe ekipit të Laçit i duhet me patjetër fitorja që të sigurojë vazhdimësinë në raundin tjetër të Conference League.