Në Bali të Indonezisë nisi takimi i nivelit të lartë të 20 vendeve me ekonomitë më të mëdha, ndërsa agresioni rus në Ukrainë ishte tema kryesore. Në takim merr pjesë edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, ndërsa ministrat e jashtëm të vendeve perëndimore refuzuan të merrnin pjesë në darkën e mirëseardhjes për shkak të zotit Lavrov.
Agresioni i nisur nga Rusia në Ukrainë ishte tema kryesore e takimit të 20 ekonomive kryesore (G-20), që nisi në Bali të Indonezisë.
Në fjalën e saj gjatë nisjes së takimit të nivelit të lartë ministrja e Jashtme e Indonezisë, Retno Marsudi bëri thirrje për unitet.
Në takim janë të pranishëm Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe Ministrin i Jashtëm kinez Wang Yi.
Sipas analistëve konsensusi gjatë këtij takimi duket i largët.
Zonja Marsudi tha se vendet e varfra dhe vendet në zhvillim nuk e kanë marrë veten ende nga pandemia e koronavirusit, ndërsa tani përballen me më shumë sfida.
“Tashmë kemi përballë një krizë tjetër, lufta në Ukrainë. Efektet e kësaj lufte ndihen globalisht në çmimet e ushqimeve, tek energjia dhe hapësira fiskale. Si gjithmonë, vendet në zhvillim dhe ato me të ardhura të ulëta janë më të prekurat. Rritja globale parashikohet të ngadalësohet në 2.9% në vitin 2022, ndërsa inflacioni mund të arrijë deri në 8.7% për vendet në zhvillim. Pyetja është, a mund t’i zgjidhim këto probleme globale vetë? Përgjigja është jo. Sfidat globale kërkojnë zgjidhje globale”, theksoi ajo.
“Kur do ta ndaloni luftën?; “Pse nuk e ndaloni luftën?”, ishin pyetjet që iu bënë ministrit të Jashtëm të Rusisë nga gazetarët, pyetje që nuk morën përgjigje.
Ministrat e Jashtëm të G7 nuk morën pjesë në darkën e mirëseardhjes së këtij takimi, pasi sipas ministers së Jashtme të Indonezisë i pranishëm ishte shefi i diplomacisë ruse.
Gjatë kësaj ngjarjeje, ministrat e Jashtëm zhvillojnë takime të veçanta me homologët e tyre.
Në takimin e lartë të G20 marrin pjesë vendet perëndimore që kanë akuzuar Moskën për krime lufte në Ukrainë, të cilat ajo i mohon, dhe kanë vendosur sanksione, por edhe vende si Kina, Indonezia, India dhe Afrika e Jugut që kanë heshtur ndaj Rusisë.