15 pako me kanabis në formë çokollate janë zbuluar brenda autobusit të linjës nga Tirana në drejtim të Tropojës duke arrestuar shoferin Alban Ismalaj 43 vjeç. Kanabisi 3.1 kg ishte fshehur në pjesën e bagazhit. Pritet dëshimia e shoferit për të zbuluar rrjetin e trafikut dhe ku ishte destinacioni final.
“Finalizohet në Lezhë operacioni policor i koduar “Linja”. Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Drogë e përpunuar si çokollatë, nga Tirana në drejtim të Tropojës, me autobus, Seksioni i Antidrogës në DVP Lezhë bllokon autobusin, sekuestron 15 pako me kanabis në formë çokollate dhe vë në pranga drejtuesin e autobusit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara se në pjesën e bagazheve, në autobusin e linjës “Tiranë – Tropojë”, kishte lëndë narkotike të përpunuar si çokollatë, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Linja”.
Gjatë këtij operacioni, në Kurbin, shërbimet e Policisë kanë ndaluar autobusin, ku dyshohej se ishte lënda narkotike dhe pas kontrollit në pjesën e bagazheve, në këtë autobus, është gjetur një çantë, brenda së cilës kishte 15 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e përpunuar si çokollatë, të cilat pas peshimit rezultuan rreth 3.1 kilogramë.
Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shoferi i autobusit, shtetasi Alban Ismalaj 43 vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Vijon puna hetimore nga ana e strukturave të Policisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale” deklaron policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.